Vritet gazetarja Malala Maiwan dhe shoferi i saj

Vritet gazetarja Malala Maiwan dhe shoferi i saj

Një gazetare është qëlluar për vdekje në lindje të Afganistanit, duke u bërë  kështu viktima e fundit e një serie vrasjesh në gjithë vendin, njofton Insajderi.

Malala Maiwand po shkonte në punë në Jalalabad, kur disa të armatosur hapën zjarr në veturën e saj.

Vozitësi i gazetares,  Mohammad Tahir, gjithashtu ka mbetur i vdekur, shkruan BBC.

Ende asnjë grup nuk ka marrë autorësinë për vrasjen e dyfishtë.

Kjo vrasje vjen pasi NATO dhe Bashkimi Evropian dolën me deklarata duke dënuar vrasjet e fundit në Afganistan.

Maiwand ishte gazetare në Radiotelevizionin Enikass.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës, Attaollah Khogiyani, u ka thënë mediave lokale se ende nuk janë identifikuar vrasësit, pasi me ta kryer krimin kanë ikur në drejtim ende të panjohur.

Maiwand, që ishte edhe aktiviste e shoqërisë civile, krejt rishtazi kishte folur për sfidat e mëdha që ka profesioni i gazetarisë kur je grua në një vend si Afganistani.

Edhe nëna e saj, gjithashtu aktiviste e zëshme, ishte vrarë pothuajse në të njëjtat rrethana pesë vjet më parë./Insajderi.com