“Kam luajtur në Serinë B, por di më shumë se ju” – si dështoi plani i trajnerit të PSG-së

“Kam luajtur në Serinë B, por di më shumë se ju” – si dështoi plani i trajnerit të PSG-së

Mënyra si rrodhën ngjarjet në “Camp Nou” ka shtyrë shumë media të zbardhin planin që kishte në mendje Unai Emery.

Trajneri spanjoll i PSG-së konsiderohet si përgjegjësi kryesor i dramës që përfshiu parisienët, të cilët, me kalimin e minutave humbën sigurinë dhe u kthyen në një ekip të ndrydhur e në panik.

Plani fillestar

Sipas “L’Équipe”, ata që akuzojnë Emerin për mendjemadhësi nuk dinë për çfarë flasin, pasi iberiku i trembej rikthimit të madh të Barcelonës. Duke qenë se njeh mjaft mirë rivalin (si spanjoll e dinte se çfarë ishte në gjendje të bënte Barça) rekomandoi lojtarët që të luanin në bllok vetëm 30-35 metra larg portës së Kevin Trap.

E përditshmja franceze zbuloi se Emeri shkoi në Barcelonë për të “mbrojtur” rezultatin e takimit të parë (4-0) dhe jo për të “vrarë” Barçën. Ai kishte rekomanduar Cavanin që të luante si mesfushor pranë Verratit dhe Matuidit, ndërkohë që, sa herë uruguaiani shkonte në sulm, i thoshte: “Zbrit poshtë”.

Të njëjtat detyra mbrojtëse “lidhën” edhe Draxlerin e Mouran, të cilëve u rekomandonte që të ktheheshin në mbrojtje për të ndihmuar Meunierin dhe Kurzawan.

649717754-fc-barcelona-v-paris-saint-germain-uefa-champions-league-round-of-16-second-leg.jpg-850x560

 

Plani B

Ngjarjet rrodhën në atë mënyrë që plani i parë i Emery shumë shpejt doli jashtë funksionit. PSG-ja pësoi shumë shpejt golin e parë, ndërsa para se të shkonte në dhomat e zhveshjes u ndëshkua sërish duke “rihapur” çështjen e kualifikimit.

“Duhet të tregoni se rezultati i takimit të parë nuk ishte rastësi! Ne pas ndeshjes të sotme mund të kthehemi në ekipin më të fortë të Europës”, ishte mesazhi që u dha lojtarëve Emery përpara se të futeshin në lojë.

Në pushimin mes pjesëve ai ndihmoi lojtarët që të mos i kapte paniku, duke u thënë: “Më dëgjoni! Edhe pse në pjesën më të madhe të karrierës si futbollist kam qenë pjesë e një skuadre të kategorisë së dytë, kam më shumë eksperiencë se ju, prandaj më dëgjoni…”. /Panorama-sport.com