Numri i të vdekurve nga shpërthimi i fuqishëm që dje ndodhi në aeroportin në Aden në jug të Jemenit, u rrit në 25, transmeton Insajderi.
Shpërthimi ndodhi në terminalin e aeroportit edhe atë në momentin kur nga Arabia Saudite arritën anëtarët e qeverisë së re të Jemenit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Shëndetësisë së Jemenit, Kasim Buhaybeh në profilin e tij në Twitter bëri të ditur se në shpërthimin e djeshëm humbën jetën 25 persona ndërsa 110 u plagosën.
Buhaybey theksoi se numri i të vdekurve po rritet për shkak të rasteve serioze të lëndimeve dhe shtoi se Ministria e Shëndetësisë po jep gjithçka që mundet për të shpëtuar viktimat e sulmit terrorist.
Ministri i Informacionit dhe Kulturës në qeverinë e re të Jemenit, Muammer el-Iryani, deklaroi se një gazetar që supozohej të takonte anëtarët e qeverisë së re në aeroport humbi jetën nga shpërthimi.
Ai tha se 10 punonjës të mediave u plagosën dhe vuri në dukje se kjo nuk është hera e parë që vendbanimet civile janë në shënjestër nga Huthit.
Iryani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vendosë militantët Huthi në listën e grupeve terroriste dhe të ndjekë penalisht udhëheqësit për krime lufte që kanë bërë.
Në aeroportin në Aden dje ndodhën tre shpërthime edhe atë në momentin e aterimit të avionit me anëtarët e kabinetit të qeverisë jemenase.
Lëvizja pro-iraniane Huthi hodhi poshtë akuzat për lidhje me shpërthimin. /Insajderi.com