Arsim Thaçi emërohet trajner i FC Malishevës

Arsim Thaçi emërohet trajner i FC Malishevës

Klubi futbollistik nga Malisheva, FC Malisheva, gjatë ditës së hënë ka bërë zyrtar trajnerin e ri, njofton Insajderi.

Arsim Thaçi është emëruar trajner i ri i klubit të Malishevës, pasi më herët Malisheva dhe trajneri nga Rahoveci, Senad Alirifa kishin ndërprerë bashkëpunimin.

Alirifa ka udhëhequr me Malishevën për tre vite, ku nga Liga e Dytë, e kishte ngritur ekipin në Ligën e Parë, ndërsa sezonin e kaluar, Malisheva ishte nga ekipet pretendente për t’u inkuadruar në Superligë.

Edhe sezonin e ri 2020-2021, Malisheva dhe Alirifa kishin bërë punë të jashtëzakonshme, ku pas përfundimit të stinorit vjeshtor, Malisheva ndodhet në vendin e parë në Ligën e Parë, në Grupin A.

Me trajnerin e ri, Malisheva pritet të vazhdojë luftën për inkuadrimin në Superligë, ndërsa më herët, trajneri nga Malisheva, Arsim Thaçi, ka udhëhequr klube me traditë në futbollin kosovar si Prishtina, Trepça ’89, KEK-u, Flamurtarin dhe 2 Korrikun. /Insajderi.com