Partia konservatore e kancelares gjermane Angela Merkel do të zgjedhë udhëheqësin e saj të ri të shtunën gjatë kongresit të partisë i cili do të mbahet online për shkak të pandemisë së Coronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Insajderi.
Midis tre kandidatëve për marrjen e timonit të partisë janë, biznesmeni dhe avokati Friedrich Merz, i cili vazhdon të gëzojë popullaritet të gjerë në mesin e votuesve të Unionit Demokristian (CDU), por ai ndiqet nga afër nga rivalët e tij Armin Laschet dhe Norbert Roettgen, raporton Anadolu Agency (AA).
Sondazhi i televizionit publik ARD këtë javë ka treguar se 29 për qind e votuesve të CDU mendojnë se Merz do të ishte personi më i mirë për të udhëhequr partinë e tyre. Laschet, kryeministri i Vestfalisë Veriore, mbështetet nga 25 për qind e votuesve.
Roettgen, deputeti i CDU-së dhe eksperti i politikës së jashtme, gjithashtu ka fituar më shumë popullaritet në javët e fundit duke arritur një mbështetje prej 25 për qind të votuesve.
Delegatët do të vendosin
Kreu i ri i CDU-së do të zgjidhet të shtunën me 1.001 delegatë nga degët rajonale dhe lokale të partisë të cilët do të hedhin votën e tyre në internet.
Si masë paraprake kundër manipulimeve të mundshme nga hakerat ose organizatat e inteligjencës, delegatët gjithashtu do të dërgojnë fletët e tyre të votimit përmes shërbimit postar.
Rezultatet përfundimtare dhe zyrtare të zgjedhjeve do të shpallen deri më 22 janar.
Epoka post-Merkel
Votimi është parë gjerësisht si një moment vendimtar për Demokristianët, pasi do të përcaktonte drejtimin e partisë në epokën pas kancelares Angela Merkel.
Merkel, e cila dha dorëheqjen si udhëheqëse e partisë në vitin 2018, në mënyrë të përsëritur deklaronte se planifikon të largohet nga politika këtë vit dhe nuk do të kandidojë si kandidatja kryesore e partisë në zgjedhjet federale në shtator.
Kreu i ri i CDU-së ka të ngjarë të jetë kandidati i partisë për kancelar në zgjedhjet e ardhshme.
Figurat kryesore të partisë pritet të zhvillojnë bisedime të mëtejshme në javët e ardhshme dhe të konsultohen me Unionin Social Kristian (CSU) të partisë së tyre simotër dhe të shpallin kandidatin e bllokut për kancelar deri në prill.
Sondazhet e fundit tregojnë se blloku CDU/CSU mbetet forca më e fuqishme politike e Gjermanisë e cila sipas anketave gëzon mbështetje me 36 për qind, por se do të duhet një partner i koalicionit për të qeverisur. /Insajderi.com