Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi ka takuar homologun e tij, kreun e Federatës së Futbollit të Turqisë (TFF), Nihat Ozdemir, njofton Insajderi.
Sipas njoftimit të Federatës Turke, takimi është zhvilluar në selinë administrative të TFF-së në Riva të Stambollit.
Në takim përveç krerëve të të dyja federatave morën pjesë edhe nënkryetari Bakir Burri, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Xhelal Broja dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, derisa nga federata turke nënkryetarët Servet Yardimci, Yilmaz Buyukaydin dhe sekretari i përgjithshëm, Kadir Kardas.
Ozdemir në deklaratën e tij tha se Turqia dhe Kosova janë vende shumë të afërta, duke shtuar se kjo vizitë do t’i përforcojë edhe më shumë lidhjet miqësore mes të dy federatave të futbollit.
Në takim u dakordua që së shpejti të zhvillohen dhe zbatohen projekte të përbashkëta mes të dy federatave.
Ademi dhe delegacioni i FFK-së të cilët ndodhen në Turqi për të marrë pjesë në ndeshjen e Super Kupës së Kosovës që do të luhet më 23 janar në Antalya, gjithashtu vizituan kampin e kombëtares së Turqisë “Hasan Dogan”. /Insajderi.com