Shoqata HANDIKOS të mërkurën ka bërë kërkesë publike ndaj Komunës së Prishtinës, e cila rreth dy muaj më parë kishte bërë një njoftim për subvencionim me nga 80 euro të personave me aftësi të kufizuara, njofton Insajderi.
“Më datë 24 nëntor 2020, kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti përmes një statusi në profilin e tij në Facebook pati njoftuar se personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në Prishtinë, në fundvit do të subvencionoheshin me nga 80 euro, si mbështetje ndaj situatës me pandeminë COVID-19 në Kosovë”, thuhet në komunikatën e kësaj shoqate.
Tutje bëhet e ditur se nga kontaktet e vazhdueshme me personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, banorë të Prishtinës, ata në HANDIKOS kanë paraqitur shqetësimet e tyre se deri me tani asnjë prej tyre nuk kanë përfituar nga shuma përmendur, gjë për të cilën thonë se kanë kërkuar sqarime nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale, por që nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje të qartë.
“Andaj, HANDIKOS bën kërkesë publike ndaj komunës së Prishtinës dhe kryetarit Ahmeti që të dalin me një sqarim lidhur me premtimin e bërë para dy muajve, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të informohen nëse nëse procesi është anuluar apo do të përfundojë së shpejti”, thuhet tutje në komunikatën për medie./Insajderi.com