Mbrojtësi Harallamb Qaqi shpalli ditën e enjte ndarjen me skuadrën e Skënderbeut, teksa mësohet se do të vazhdojë karrierën e tij në Superligën e Kosovës, njofton Insajderi.
Pas largimit nga korçarët, 27 vjeçari ka firmosur me Drenicën e Bledar Devollit. Qaqi rigjen te kjo skuadër mbrojtësin Gjoni me të cilin ka luajtur te Laçi pak vite me parë. Si Qaqi ashtu dhe Gjoni pritet të jenë titullarë në repartin defensivë të skuadrës së Drenicës.
Kjo do të jetë eksperienca e parë në Kosovë për futbollistin 27 vjeçar, i cili në të kaluarën, ka veshur fanellën e shumë skuadrave italiane ku spikasin Verona dhe Carpi, ndërkohë që në Shqipëri ka qenë pjesë e Partizanit, Laçit, Kukësit, Kamzës, dhe së fundmi Skënderbeut. /Insajderi.com