Portugalia nga COVID-19 goditet më shumë nga vala e dytë e pandemisë

Portugalia nga COVID-19 goditet më shumë nga vala e dytë e pandemisë

Portugalia renditet si një nga vendet në rrezik për Coronavirusin e ri (COVID-19) pasi vendi u godit më shumë nga vala e dytë që nga shtatori i vitit 2020, krahasuar me valën e parë në mars-prill të vitit të kaluar, transmeton Insajderi.

Portugalia, e cila dha një shembull gjatë valës së parë të pandemisë me masat e saj të menjëhershme dhe të ashpra për të kontrolluar përhapjen e virusit, tani është në valën e dytë, duke paguar faturë të rëndë të shkaktuar nga masat e vona për shkak të shqetësimeve ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).

Mesatarja e infeksioneve ditore në vend është 10 herë më e lartë krahasuar me valën e parë ndërsa fatalitetet njëditore u rritën për tetë herë.

Gjatë valës së parë, ky vend i Evropës Jugore më 8 prill dhe 11 prill të vitit të kaluar regjistroi vdekjet më të larta ditore, kur 35 persona humbën jetën si dhe më 10 prill u regjistruan infeksionet më të larta, 1.516 persona me COVID-19.

Më 28-31 janar, në valën e dytë, Portugalia regjistroi numrin e saj më të lartë të vdekjeve në një ditë të vetme, me 303 viktima si dhe më 28 janar një rekord tjetër të rasteve ditore me 16.432 persona që rezultuan pozitivë ndaj virusit.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Portugalia ka regjistruar shkallën më të lartë të infeksionit me COVID-19 midis vendeve evropiane, bazuar në popullsinë dhe madhësinë e vendit.

Portugalia po ashtu regjistroi nivel rekord të vdekjeve nga koronavirusi në 14 ditët e fundit, me një mesatare prej 247 viktimash në një milionë banorë.

Dendësia në spitalet e këtij vendi ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i pandemisë.

Mediat lokale raportuan se pacientët u trajtuan në ambulanca duke pritur para spitaleve, veçanërisht për shkak të dendësisë në kryeqytetin e Lisbonës dhe spitalet përreth.

Në Lisbonë, shkalla e shtretërve të zëna në njësitë e kujdesit intensiv të spitaleve aktualisht qëndron në 80 për qind.

Sipas raporteve të mediave, qeveria portugeze i kërkoi ndihmë BE-së, përfshirë trajtimin e shtetasve të saj me sëmundje të rënda kronike në vendet tjera anëtare, duke shtuar se vetëm Gjermania dha përgjigje pozitive.

Ndërkohë, Portugalia edhe një herë zgjati gjendjen e jashtëzakonshme e cila ka qenë në fuqi që prej 9 nëntorit dhe mbylli kufijtë e saj më 29 janar.

Sipas shifrave zyrtare, që nga 1 shkurti rreth 12.757 persona në Portugali humbën jetën për shkak të COVID-19 dhe 726.321 persona kanë rezultuar pozitivë deri më tani. /Insajderi.com