Një diplomat iranian dënohet me 20 vite burg nga një gjykatë në Belgjikë

Një diplomat iranian dënohet me 20 vite burg nga një gjykatë në Belgjikë

Një gjykatë në Belgjikë dënoi me 20 vjet burg diplomatin iranian, Asadullah Asadi me akuzën për planifikim të një sulmi me bombë në vitin 2018 në Paris në një takim ku ndodheshin opozitarët iranianë, transmeton Insajderi.

Së bashku me diplomatin iranian në Austri, Asadi, u dënuan edhe 3 persona të tjerë me akuzën se kanë planifikuar sulm kundër drejtuesve të Organizatës Popullore “Mujahedin” e cila kundërshton qeverinë e Iranit, raporton Anadolu Agency (AA).

Asadi u arrestua derisa ndodhej në Gjermani dhe u ekstradua në Belgjikë ku ishte planifikuar sulmi. Përveç Asadit edhe 3 persona tjerë u gjykuan në qytetin Antwerpen të Belgjikës.

Diplomati iranian mohoi akuzat dhe nuk mori pjesë në seancat dëgjimore. Gjithashtu Asadi përmes avokatit të tij, kundërshtoi gjykimin e tij në Belgjikë pasiqë ai kishte imunitet diplomatik.

Diplomati iranian u akuzua për planifikimin e sulmit, së bashku me një çift iranian që jetonte në Antwerp. Ndërsa Prokuroria belge argumentoi se Asadi kishte siguruar materialet e përdorura për të prodhuar bombë. Gjithashtu bëhet e ditur se u neutralizua një bombë me sahat që u gjet në makinën e çiftit iranian.

Ndërkaq, për herë të parë ndodh që një diplomat iranian të gjykohet në një vend anëtar të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër Franca pretendon se Asadi punon për inteligjencën iraniane. Irani mohon pretendimet në lidhje me Asadin. /Insajderi.com