“Ligjet moderne të pagës minimale e gjejnë origjinën e tyre në Urdhrin e Punëtorëve (1349), i cili ishte një dekret nga Mbreti Edward III që përcaktonte një pagë maksimale për punëtorët në Anglinë mesjetare”.
Kanë kaluar 11 vjet që kur paga minimale në Kosovë është përcaktuar të jetë 170 euro, por Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar që ajo duhet të rritet në 300 euro.
Në një përgjigje për Insajder-in, Hamza tha se kjo rritje e pagës minimale duhet të jetë rrjedh e një diskutimi në mes të këshillit ekonomiko-social, sindikatat dhe përfaqësuesit e bizneseve – më pastaj vendos Qeveria si institucion ekzekutiv.
Por, profesori në Fakultetin Juridik i modulit financiar, Bedri Peci, tha se Qeveria si organ ekzekutiv “nuk mund ta përcaktojë” pagën minimale.
“Është Kuvendi dhe sindikatat ato të cilat e caktojnë pagën minimale dhe assesi Qeveria si organ ekzekutiv ose ndonjë parti politike”.
Ndërsa, Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Imeri, potencoi për Insajderi-n se “nuk ka nevojë për një kontratë kolektive për rritjen e pagës minimale”, kjo duhet të rregullohet me ligj.
“Për rritjen e pagës minimale, nuk ka nevojë për marrëveshje kolektive, por për diskutim e përfshirje sociale të të gjithë akterëve, ashtu siç parashihet me Ligjin e Punës. Paga Minimale duhet të caktohet çdo fundvit”, tha ai.
Që paga minimale duhet të përcaktohet me ligj e thotë edhe profesor Peci.
“Kjo për faktin sepse do të bëhej e mundur që për pagën minimale të vendoste organi më përfaqësues (Kuvendi) i cili është organi më përgjegjës ndaj dy sektorëve – publik dhe atij privat”.
Për dallim nga Ymeri, ai mendon se pos ligjit pagat mund të caktohen edhe me kontrata kolektive. Merr shembull disa shtetet e Bashkimit Evropian.
“Në 22 shtete të BE-se pagat minimale janë të caktuara dhe rregulluara me ligj, ndërsa në shtetet tjera të BE-së nuk kanë ligje të pagës minimale, por mbështeten tek grupet e punëdhënësve dhe sindikatat për të vendosur fitimet minimale përmes negociatave kolektive”, tha Peci për Insajderin.
Ai shtoi se një rritje eventuale e pagës përmes ligjit, apo një kontratë kolektive kërkon një analizë të detajuar duke i marr parasysh disa faktorë makroekonomikë.
“Kushtet e përgjithshme ekonomike të matura nga produkti i brendshëm bruto real dhe nominal; inflacioni; oferta dhe kërkesa e punës; nivelet e pagave; shpërndarja dhe diferencat; kushtet e punësimit; rritja e produktivitetit; kostot e punës; kostot e operimit të biznesit; numrin dhe trendin e falimentimeve; renditja e lirisë ekonomike; standardet e jetesës dhe shkalla mbizotëruese e pagës”.
“Kosto e operimit të biznesit”, është një ndër faktorët që mund të krijojë vështirësi tek bizneset në rast se ato obligohen që t’i paguajnë më shumë punëtorët.
“Çdo rritje e pagave do të nënkuptojë kosto shtesë për sektorin privat, por kjo rritje duhet të shoqërohet edhe me masa konkrete fiskale e me mbështetje financiare”, deklaroi Visar Ymeri.
Por, Hamza tha se ky vendim vjen pasi bizneset të ndihmohen duke i lehtësuar politikat fiskale.
“Fillimisht përkrahen bizneset përmes fondeve, lehtësimit te qasjes në financa e politikave fiskale”, sqaroi ish-guvernatori i Bankës Qendrore.
Megjithatë, ka edhe një shpjegim tjetër kur rritja e pagës minimale do të sillte dobi edhe për bizneset.
Se si ndodh kjo e shpjegon Ymeri.
“Nga perspektiva ekonomike, rritja e pagës minimale rezulton në rritje të kërkesës agregate. Së këndejmi rritet konsumi agregat që është mundësi shtesë për rritje të qarkullimit të bizneseve. Kështu në afatmesëm dhe veçanërisht afatgjatë bizneset nuk humbin, por përfitojnë”.
Përpos përfitim, ai rritjen e pagës për punëtoret e lidhi edhe me rritjen e produktivitetit në punë që ndikon edhe në efekte dobiprurëse për sipërmarrjet.
“Kostoja e punës duhet të evoluojë karshi rritjes së produktivitetit”.
Krejt këtë Ymeri e sheh nga evoluimi social që “nga paga për të mbetur gjallë” në “pagë për të jetuar mirë”.
Ashtu tha edhe Hamza, që “pozita e punëtorit duhet të mbrohet”.
Propozimi i tij që pozita e punëtorëve të mbrohet duke u ngritur paga në 300 euro është 32 euro më e vogël sesa paga minimale e Bullgarisë që është 332 euro e që njihet si vendi më i varfër në Bashkimin Evropian.
Përcaktimi i pagës është praktikë e vendeve evropiane, madje për këtë ka një histori.
“Ligjet moderne të pagës minimale e gjejnë origjinën e tyre në Urdhrin e Punëtorëve (1349), i cili ishte një dekret nga Mbreti Edward III që përcaktonte një pagë maksimale për punëtorët në Anglinë mesjetare”, tha Bedri Peci. /Insajderi.com