Mohammad Younes Menfi u zgjodh sot president i qeverisë së përkohshme të Libisë, ndërsa Abdul Hamid Mohammed Dbeibah u zgjodh kryeministër në Këshillin e Presidencës gjatë votimit në një vend të paemëruar në Zvicër, në afërsi të Gjenevës, transmeton Insajderi.
E dërguarja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Libinë, Stephanie Williams, u tha delegatëve se sfidat akoma nuk janë tejkaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne do të mbikqyrim ata që ju keni zgjedhur për t’u siguruar që ata me të vërtetë t’i drejtohen popullit libian më 24 dhjetor të këtij viti, për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e Libisë dhe udhëheqjen politike”, tha Williams.
Votimi u zhvillua në kuadër të Forumit të Dialogut Politik Libian për të zgjedhur këshillin e presidencës të përbërë nga tre persona për qeverinë e përkohshme gjatë një takimi pesë-ditor.
Menfi fitoi 39 vota kundër 34 votave të grupit të dytë në raundin e dytë të votimit, ndërsa 30 për qind e pozicioneve të zgjedhura janë të parapara për gratë.
“Ne nuk kemi asnjë të ardhme, përpos se të ecim përpara”, tha një delegat, ndërsa të tjerët vlerësuan rolin e të dërguarës Williams gjatë muajve të fundit.
Lista fituese përfshinte personalitete si Menfi, Mossa Al-Koni, Abdullah Hussein Al-Lafi dhe Dbeibah. /Insajderi.com