Sindikata e Punëtorëve të Trepçës mohon se janë pezulluar minatorët që mbajtën grevë

Sindikata e Punëtorëve të Trepçës mohon se janë pezulluar minatorët që mbajtën grevë

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, ka mohuar se 12 minatorë të kësaj ndërmarrje janë suspenduar, pasi të njëjtit kishin mbajtur grevë për shkak të mos marrjes së pagave të muajit janar, njofton Insajderi.

Osmani tha se nuk bëhet fjalë për suspendim, por sipas tij, ka pasur një mosmarrëveshje mes minatorëve dhe drejtorit të Trepçës, e cila më pas është zgjidhur.

“Nuk është e vërtetë që janë suspenduar, thjesht ka pasur një mosmarrëveshje. Pas një takimi me drejtorin, ky problem është zgjidhur dhe ata janë kthyer në punë si dhe do të vazhdojnë siç kanë qenë më herët”, deklaroi ai për Insajderi-n.

Ndërkohë, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Imer Fejza, përmes Facebook-ut kishte njoftuar se largimi i këtyre punëtorëve ishte bërë me arsyetimin se kanë kryer shkelje të rëndë të detyrës.

Ai ishte shprehur se ky vendim vjen si hakmarrje për shkak të grevës të cilën e kishin mbajtur pesë ditë më parë për të kërkuar pagën e tyre.

“Punonjësit Bajram Sadiku, Fehmi Haradini, Adnan Brahimi, Isa Tahiri, Edmond Selimi, Mensur Salihu, Burim Morina, Blerim Salihu, Isa Brahimi, Zaim Ahmeti, Rifat Lushtaku dhe Beqir Peci largohen përkohësisht nga puna për shkak se ekziston dyshimi se të njëjtit me datën 11:02.2021, ndërrimi i dytë dhe i treti dhe më 12.02.2021 ndërrimi i parë kanë kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës”, kishte shkruar ai në Facebook./Insajderi.com

Në prag të 32 vjetorit të grevës së minatorëve, suspendohen nga puna 12 minatorët që para disa ditëve hynë në grevë për…

Posted by Imer Fejza on Wednesday, February 17, 2021