Në kuadër të javës së 21-të në Superligën e Kosovës në futboll, Gjilani si nikoqir ka barazuar me vizitorët nga Suhareka, me ekipin e Ballkanit me shifrat 1:1, njofton Insajderi.
Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, teksa të dy golat e ndeshjes u shënuan në fraksionin e dytë të takimit.
Fillimisht zhbllokuan rezultatin miqtë nga Suhareka. Autori i golit ishte Mevlan Zeka i cili realizoi në të 76-tën minutë.
Më pas, djemtë e Bylbyl Sokolit nuk mund të pajtoheshin me këtë rezultat, ku në pjesën e mbetur të takimit, intensifikuan atakimet e tyre, për të gjetur golin e baraspeshës, gol që do vinte vetëm tre minuta më pas. Malazezi Darko Nikac shënoi për 1:1, gol që doli të ishte i epilogut final të ndeshjes.
Deri në fund, të dyja skuadrat u orvatën të shënonin golin e fitores, gol që nuk do të vinte në këtë përballje.
Me këtë pikë, Gjilani shkon në kuotën e 31 pikëve, duke u renditur të katërtit në ligë, ndërsa në anën tjetër, Ballkani me këtë barazim e sheh veten lider në tabelë me 45 pikë, një më shumë se Drita e vendit të dytë. /Insajderi.com