Sigal Prishtina pëson humbje në shtëpi nga Vëllaznimi

Sigal Prishtina pëson humbje në shtëpi nga Vëllaznimi

Vëllaznimi ka mundur Sigal Prishtinën në kryeqytet me rezultat 74:86 (13:19, 24:24, 21:24, 16:19), në kuadër të javës së 20-të në Superligën e Kosovës në basketboll, njofton Insajderi.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, por më pas shkëputen mysafirët në 7:19, derisa çereku i parë përfundon 13:19.

‘Kuqezinjtë’ edhe në periodën e dytë kishin epërsi në nëntë pikë, 19:28, por një seri e mirë e vendasve bën që ‘bardhekaltrit’ të kalojnë në epërsi 30:29. Pas loje të barabartë, skuadra nga Gjakova ishte më e mirë në fund dhe përfundoi pjesën e parë në të mirë të saj 37:43.

Vëllaznimi e nisi pjesën e dytë shumë më mirë, duke pasur epërsi në 13 pikë, 48:61, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 58:67.

Në 10 minutat e fundit përkundër përpjekjeve të vendasve, Vëllaznimi arriti të menaxhojë epërsinë, madje edhe ta shtojë dhe në fund triumfoi 74:86.

Te Sigal Prishtina u dalluan Nigel Johnson me 20 pikë e tetë asistime dhe Tevin Mack me 25 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Vëllaznimi më të dalluarit ishin Emmanuel Emogbo me 36 pikë e 15 kërcime dhe Ty Nichols me 26 pikë e gjashtë asistime.

Sigal Prishtina ka gjashtë fitore dhe 14 humbje, kurse Vëllaznimi pesë fitore dhe 15 humbje. /Insajderi.com