Australia ka miratuar një ligj të ri që do të detyrojë kompanitë e teknologjisë të paguajnë botuesit për përmbajtjen e lajmeve, duke vendosur bazën për veprim të mundshëm, të ngjashëm edhe në vendet e tjera, shkruan CNN, trasnmeton Insajderi.
Kodi i ri, të cilin parlamenti Australian e miratoi të enjten, “do të sigurojë që bizneset e mediave të lajmeve të shpërblehen për përmbajtjen që gjenerojnë”, tha në një deklaratë Arkëtari australian, Josh Frydenberg.
Ligji i ri i paprecedent i vendit nxiti shumë debate muajt e fundit. Facebook (FB) dhe Google (GOOGL) kishin kundërshtuar versionin fillestar të legjislacionit, i cili do t’u kishte lejuar mediave të bëjnë pazar ose individualisht ose kolektivisht me ta – dhe të hyjnë në një arbitrazh të detyrueshëm nëse palët nuk mund të arrijnë një marrëveshje.
Facebook madje mbylli faqet e lajmeve në Australi javën e kaluar në kundërshtim me legjislacionin. Por rrjeti sociale tha në fillim të kësaj jave se do t’i rivendoste ato pasi vendi të bënte disa ndryshime në kod, duke përfshirë një dispozitë që “duhet të marrë parasysh nëse një platformë dixhitale ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e industrisë Australiane të lajmeve përmes arritjes së marrëveshjeve me bizneset e mediave të lajmeve”. /Insajderi.com