Autoritetet e Mynihut kanë rihapur hetimin e tyre për akuzat e sulmit kundër mbrojtësit të skuadrës së futbollit Bayern Munchen, Jerome Boateng, pasi morën informacione të reja nga policia që po heton vdekjen e ish-të dashurës së tij, thanë prokurorët, njofton Insajderi.
Prokurorët e Mynihut verën e kaluar shtynë hetimet për sulmin e pretenduar të vitit 2019 nga Boateng ndaj ish-të dashurës së tij Kasia Lenhardt, pasi Lenhardt vendosi “të mos jepte asnjë deklaratë më inkriminuese”.
Ata gjithashtu dëshironin të prisnin rezultatin e gjyqit të yllit të futbollit në një rast tjetër.
Avokati i Boateng-ut ka hedhur poshtë pretendimet në të dy rastet.
Lenhardt, modele, u gjet e vdekur në një apartament në Berlin më 9 shkurt, kurse policia ka thënë se nuk ka gjetur prova të përfshirjes nga jashte. Boateng u kthye në Gjermani nga pjesëmarrja e Bayern-it në Kupën Botërore të Klubeve në Katar për arsye personale të nesërmen.
Ndërkohë, procedimi në gjykatën e qarkut të Mynihut për Boateng-un mbi akuzat e sulmit ndaj ish-partneres Sherin Senler, nëna e dy fëmijëve të tyre, nuk ka qenë në gjendje të fillojë për shkak të kufizimeve të koronavirusit.
Përfaqësuesi ligjor i Boateng-ut paraqiti një ankesë kundër prokurorëve të Mynihut në qershor të vitit 2020 duke pretenduar se një person i pafajshëm po ndiqej penalisht, por ankesa u refuzua nga zyra e prokurorit të shtetit më 18 gusht 2020.
Nuk u bë e ditur se kur mund të fillojë gjykimi. /Insajderi.com