BE zotohet për përshpejtim të vaksinimit

BE zotohet për përshpejtim të vaksinimit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë zotuar se do të përshpejtojnë prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave anti-COVID’19, transmeton Insajderi.

Kështu u tha në një samit virtual ku ata u mbledhën të enjten mbrëma dhe diskutuan për idenë e një “certifikate të vaksinës”, që do t’iu jepte njerëzve përfitime të veçanta, të tilla si udhëtimi, ngrënia në restorante ose shkuarja në kinema.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në një konferencë për media se në mesin e vendeve anëtare ka “gjithnjë e më shumë pajtim për një skemë të tillë, e cila mbështetet sidomos nga vendet që varen nga turizmi.

Por, Michel tha se prioritet kryesor tani mbetet përshpejtimi i shpërndarjes së vaksinave.

Me gjithë përparimin e ngadalshëm, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku ende synon të vaksinojë 70 për qind të të rriturve – rreth 255 milionë njerëz – deri në shtator.

“Ky është një qëllim që ne kemi besim se do ta arrijmë”, tha ajo.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi se vendet duhet të jenë të përgatitura “për të bërë vaksina për shumë vite që vijnë”, për shkak të mutacioneve në zhvillim të Coronavirusit. /Insajderi.com