Ndihma prej 1.9 trilionë dollarë e presidentit Biden miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve

Ndihma prej 1.9 trilionë dollarë e presidentit Biden miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve

Pakoja e ndihmës prej 1,9 trilionë dollarë të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve, transmeton Insajderi.

Projektligji i shumëpritur u miratua në një votim të ngushtë me 219 për dhe 212 kundër, pasi dy demokratë u bashkuan me republikanët në Kongres për ta kundërshtuar projektligjin, raporton Anadolu Agency (AA).

Tani do të varet nga Senati, ku masa pritet të përballet me kundërshtim të fortë nga republikanët.

​​​​​​​Nëse Senati miraton një version tjetër të projektligjit, Kongresi do të duhet të votojë edhe për këtë version, ose të dy dhomat do të duhet të përpilojnë një propozim përfundimtar në një komision.

Projektligji i Kongresit aktualisht përfshin 1.400 dollarë çeke stimuluese për shumicën e individëve për të ringjallur ekonominë amerikane, mbështetje për papunësinë prej 400 dollarësh në javë deri më 29 gusht dhe vazhdim të kredisë së taksës së fëmijëve për familjet deri në 3.600 dollarë për fëmijë.

Sa i përket pandemisë, ligji ndan 20 miliardë dollarë për shpërndarjen e vaksinave COVID-19, 50 miliardë dollarë për testimin dhe gjurmimin, 350 miliardë dollarë në ndihmë të qeverisë lokale dhe shtetërore, 25 miliardë dollarë ndihmë për qiramarrësit dhe 170 miliardë dollarë për rihapjen e shkollave dhe arsimit të lartë. /Insajderi.com