Ballkani pëson disfatë nga Llapi në Podujevë

Ballkani pëson disfatë nga Llapi në Podujevë

Ballkani nga Suhareka ka pësuar disfatë minimale si mysafire e Llapit në Podujevë në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në elitën e futbollit kosovar, njofton Insajderi.

Pjesa e parë edhe pse prodhoi raste për të dyja skuadrat, u mbyll me rrjeta të pa prekura, ndërsa në pjesën e dytë u shënua një gol dhe u dhanë dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër.

Po zhvillohej minuta e 62-të e ndeshjes kur Marijan Çoriç u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrje në Zekën e Ballkanit.

Edhe pse me një lojtar më pak, Llapi arriti të shënonte. Autor i golit ishte Edon Sadriu (68’).

Me një lojtar më shumë, miqtë nga Suhareka nuk arritën të barazonin rezultatin, mirëpo do të barazonin numrin e kartonëve të kuq kur Mevlan Zeka mori kartonin e dytë të verdhë (87’).

Deri në fund nuk u ndryshua asgjë në rezultat dhe kështu pikët e plota mbesin në ‘Zahir Pajaziti’.

Me këtë fitore, Llapi ngjitet në vendin e gjashtë me 26 pikë, ndërsa pas kësaj disfate Ballkani zbret në vendin e dytë në kuotën e 45 pikëve. /Insajderi.com