Lirohen 300 vajzat e rrëmbyera nga personat e armatosur në Nigeri

Lirohen 300 vajzat e rrëmbyera nga personat e armatosur në Nigeri

Një grup prej gati 300 vajzash që u rrëmbyen nga një shkollë në Nigerinë veri-perëndimore javën e kaluar janë liruar, thotë një zyrtar lokal, transmeton Insajderi.

Vajzat u rrëmbyen nga persona të armatosur të paidentifikuar nga shkolla e tyre me konvikt në Jangebe, shteti Zamfara, të premten dhe u morën në një pyll, njoftoi policia.

Guvernatori i shtetit tha të martën se grupi ishte liruar dhe vajzat tani ishin të sigurta.

Rrëmbime të tilla kryhen për shpërblim dhe janë të zakonshme në veri.

“Më gëzohet zemra të njoftoj lirimin e studentëve të rrëmbyer … nga robëria”, shkroi guvernatori Bello Matawalle në Twitter.

Dhjetëra vajza u panë të mbledhura në një ndërtesë qeveritare në Zamfara pasi u morën atje me minibusë.

Lirimi i grupit u sigurua përmes negociatave midis zyrtarëve qeveritarë dhe rrëmbyesve, thanë autoritetet në shtetin Zamfara për ‘BBC’.

Autoritetet thanë se 279 vajza ishin liruar, duke shtuar se një shifër e dhënë javën e kaluar nga policia se 317 ishin rrëmbyer nuk ishte më e saktë.

Një zyrtar i tha agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se mospërputhja ishte për shkak të faktit se disa vajza kishin ikur menjëherë pasi ishin rrëmbyer./Insajderi.com