Antonio Cassano pati një karrierë të suksesshme ku ka luajtur me skuadra të mëdha si Roma, Real Madrid, Milan dhe Inter. 39 vjeçari njihej si lojtar mjaft i talentuar dhe pozicionin më të mirë e kishte si sulmues i fsheshtë apo pas sulmuesve. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Cassano ka marrë pozicionin e analistit, njofton Insajderi.
Së fundmi ai foli për Antonio Conte-n, të cilin nuk e vlerëson aspak për mënyrën e të zhvilluarit te lojës nga Inter-i edhe pse janë në vendin e parë.
“Interi nuk luan futboll, ndryshe nga Atalanta. Interi luan topin pas, pret presionin e ekipeve të tjera dhe jep topin e gjatë për Lukakun. ‘Zikaltërit’ kanë detyrimin ndaj tifozëve të fitojnë Scudetto-n, por nuk po luajnë futboll të mirë. Në Ligën e Kampionëve u renditën pas Shakhtar Donetsk, ishte qesharake, tha fillimisht ish-sulmuesi italian.
Për të vazhduar më tej: “Inter ende nuk luan mirë, por Conte a e ka kuptuar që nuk është Guardiola? Ai mund të na marrë për idiot, por unë nuk jam budalla. Ai mund të dominojë në Itali, sepse është ligë mesatare. Por a bën dot në Europë?”, u shpreh Cassano. /Insajderi