Sfida e sotme mes Juventus dhe Spezia do të jetë përballja e katërt në historinë mes këtyre klubeve. Ndeshja e parë u fitua 4:1 nga kampionët e Andrea Pirlos me lojtarin e ndeshjes që u shpall Cristiano Ronaldo. Sytë sot në Torino do të jenë të gjithë të drejtuar nga portugezi, i cili ishte autori i një dy golëshi, pavarësisht se qëndroi në stol për 56 minuta në fazën e pare, njofton Insajderi.
Motivi i CR7-ës mbrëmjen e sotme do të jetë i madh. Jo vetëm që ai do tentojë të rikthejë skuadrën te suksesi, pas dy pikëve të munguara me Hellas Veronën (goli i tij nuk mjaftoi), por do të kërkojë edhe një rekord personal, duke qenë vetëm një gol larg rekordit të legjendës Pele. 767 janë golat e firmosur nga sulmuesi brazilian në ndeshjet zyrtare, ndërsa 766 janë ato të kolegut të tij portugez.
Spezia do të kërkojë të surprizojë kampionët e Italisë, njëjtë siç bëri edhe me Milanin dy javë më parë, duke treguar se me skuadrat e mëdha shfaqen ndryshe.
Për sa i përket formacioneve, mbrojtësi shqiptar, Ardian Ismajli e nis ndeshjen nga stoli. Një vendim i papritur ky nga trajneri i Spezia-s, për shkak se mbrojtësi ka qenë titullar i padiskutueshëm në ndeshjet e fundit. Nga ana tjetër, Juventusi zbret në fushë me një 4-4-2, me Pirlon që nuk bën shumë ndryshime. /Insajderi.com