Gjatë të mërkurës, ekipet në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, kanë zhvilluar javën e 21-të kampionale, ku ekipet shqiptare që militojnë në këtë kategori, dy prej tyre kanë shënuar fitore, një ka barazuar, ndërsa një tjetër ka pësuar disfatë në shtëpi, njofton Insajderi.
Kryesuesit e ligës, ekipi nga Tetova, Shkëndija është ndalur në një barazim pa gola si mysafire e Rabotniçkit.
Renova ka mposhtur në shtëpi me rezultat të pastër 3:0 mysafirët e Vardarit. Golat për nikoqirët u shënuan nga Shefiti (21’), Selmani (27’) nga pika e bardhë, ndërsa golin e dytë personal dhe të tretin në takim, e shënoi Selmani në pjesën e dytë (55’).
Ekipi shqiptar nga kryeqyteti, Shkupi ka shënuar fitore minimale si mysafire e Sileksit me golin e realizuar nga Alvarez (78’) nga pika e bardhë.
Në fund, Struga Trim & Lum është mposhtur minimalisht në shtëpi nga Pelisteri, për më tepër, mysafirët shënuan golin e fitores në minutën e dytë shtesë të takimit me anë të Pejakoviç.
Pas 21 xhirosh kampionat, në krye mbetet Shkëndija me 46 pikë, e ndjekur nga Shkupi me 40 pikë, ndërsa Struga ndodhet në vendin e katërt me 32 pikë, si dhe Renova me këtë fitore, ngjitet në kuotën e 22 pikëve, duke u renditur në pozitën e 10 në kampionat. /Insajderi.com