Interi arriti të triumfonte në transfertë ndaj Parmës me rezultatin 1:2, duke filluar një shkëputje në kampionat, njofton Insajderi.
‘Zikaltërit’ e Antonio Contes, thelluan diferencën e pikëve në +6 nga ndjekësit e Milan-it. Ishte kiliani Alexis Sanchez, heroi i triumfit ndaj emilianëve, ku me dopietën e tij, i dhuroi skuadrës tre pikë të arta.
Një fitore jo pak e vuajtur për ‘zikaltërit’, të cilëve duhet theksuar, iu mungoi shkëlqimi i ndeshjeve të mëparshme. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërkohë që Interi shënoi dy herë në minutat 54-të dhe 62-të.
Vlen të theksohet fakti se të dy asistent e golave u dhuruan nga Lukaku, teksa kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi për të besuarit e Contes.
Parma provoi të rihapte sfidën me Hernanin, në minutën e 71-të, por vetëm kaq, pasi në fund ishin kryesuesit e kampionatit ata që triumfuan.
Kujtojmë që sfidën e radhës Interi do e luajë në shtëpi ndaj Atalantës. Një përballje tepër delikate, për sa i përket fateve të sezonit. /Insajderi.com