Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së (Pentagon), John Kirby tha se kanë marrë kërkesë nga Drejtoria e policisë së Kongresit Amerikan për të zgjatur edhe dy muaj afatin e detyrës së Gardës Kombëtare përreth Kongresit, por ende nuk kanë marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje, transmeton Insajderi.
Në një konferencë për media, Kirby tha: “Ne kemi kërkesë nga policia e Kongresit për ndihmën e Gardës Kombëtare. Në këtë kërkohet të zgjatet për dy muajt e ardhshëm afati i detyrës së Gardës Kombëtare në një shifër të caktuar. Këtë kërkesë ashtu sikurse edhe kërkesat e tjera po i vlerësojmë aktualisht për të siguruar balancën e nevojës dhe të burimit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai tha se lidhur me këtë çështje nuk kanë dhënë ende një vendim duke shtuar se nuk dëshiron të komentojë ndonjë gjë pa përfunduar procesi i vlerësimit.
Gjatë ceremonisë së betimit të presidentit të SHBA-së, Joe Biden më 20 janar në Washington u vendosën rreth 25 mijë forca të Gardës Kombëtare kundër rebelimit të mundshëm të grupeve pro ish-presidentit Donald Trump.
Rreth 5.200 forca të Gardës Kombëtare që ndodhen aktualisht në qytet pritet të tërhiqen nga kryeqyteti pas mesit të marsit. /Insajderi.com