Përballje dramatike në Torino, por në fund feston Porto. Portugezët eliminojnë nga Liga e Kampionëve Juventusin dhe kualifikohen për në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni, njofton Insajderi.
Pas ndeshjes së parë e cila ishte mbyllur me fitoren e ekipit të Conceicao me rezultatin 2-1, ajo e kthimit, ishte me të vërtetë e çmendur. Fillimisht ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh me Sergio Oliveira, i cili shënoi pas një penalltie të shkaktuar nga Demiral në minutën e 19-të.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa e dyta nisi menjëherë me gol, me Chiesa-n, që realizoi dy herë, për të përmbysur rezultatin, fillimisht në minutën e 49-të dhe më pas në minutën e 63-të.
Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe skuadrat iu drejtuan minutave shtesë, aty ku ishte një dramë e vërtetë. Ishte përsëri Oliveira, i cili në minutën e 115-të realizon një “perlë” nga goditja e dënimit.
‘Bardhezinjtë’ kaluan sërish në avantazh pas dy minutave me Rabiot, i cili realizoi me kokë, por vetëm kaq, pasi në raundin tjetër kalon Porto. /Insajderi.com