OHT reagon për ndërhyrjen e policisë në një restorant në Prishtinë

OHT reagon për ndërhyrjen e policisë në një restorant në Prishtinë

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka reaguar për rastin e ndërhyrjes së pjesëtarëve të policisë, bashkë me inspektorë në një restorant në Prishtinë, i cili kishte ndodhur dy ditë më parë, njofton Insajderi.

Në reagimin e tyre thuhet se nga deklaratat e pronarëve kanë dëshmi reale që ndërhyrja ka qenë brutale dhe është kaluar çdo kompetencë.

“Edhe pse klientët kanë qenë duke i kryer pagesat dhe duke e liruar lokalin, në Restaurant Extra Fish është bërë një ndërhyrje e pazakontë dhe e paparë më herët duke ushtruar dhunë brutale mbi stafin punues të këtij vendi”.

Ata pretendojnë se përveç dhunës në hapësirat e restorantit është ushtruar dhunë edhe më e madhe në stacionin policor.

“Në bazë të informacioneve, akterët pjesëmarrës e kanë ndërruar deklaratën para organeve kompetente pothuajse tre herë radhazi ashtu siç iu ka përshtatur atyre”.

Në reagimin e tyre tutje thuhet se kërkojnë që:

  • Sa më parë të ndërpriten këto dukuri kaq negative ndaj subjekteve hoteliere;
  • Gjatë inspektimit nga inspektorati mos të ketë prezencë të policisë sepse po paraqesin shqetësim dhe imazh të keq para masës;
  • Mos të ketë ndërhyrje të tilla ndaj subjekteve hoteliere, sepse të njëjtat nuk janë subjekte kriminale, por janë afaristë dhe kontribuues të ekonomisë së vendit;
  • Inspektorati në përputhje me detyrat dhe në bazë të ligjit, ta përfundojnë punën e vet dhe mos ti tejkalojnë kompetencat;
  • Të shqiptohen dënime ndaj akterëve të cilët kanë ushtruar dhunë, dhe kjo gjë të dëshmohet në mënyrë që të jenë shembull për të tjerët që mos të veprojnë në mënyrë të tillë!/Insajderi.com