Nga FFK-ja konfirmohet që ndeshja me Spanjën do të luhet mes dy shteteve të barabarta

Nga FFK-ja konfirmohet që ndeshja me Spanjën do të luhet mes dy shteteve të barabarta

Pas incidentit të djeshëm ku faqja zyrtare e Federatës së Futbollit Spanjoll e cilësoi Kosovën si një territor dhe jo si një shtet, dhe pas deklaratës së FFK-së e cila u shpreh e indinjuar dhe e qartë në lidhje me këtë çështje duket se gjithçka është qetësuar pasi sipas burimeve, disa zyrtarë të Federatës Spanjolle kanë telefonuar në zyrat e FFK-së dhe u kanë shpjeguar se ka qenë një incident dhe kanë kërkuar falje, njofton Insajderi.

Ky incident i cili nxiti jo pak reagime në rrjetet sociale u cilësua si një gjest i rëndë nga kreu FFK-së, Agim Ademi i cili u shpreh se Kosova do të zbres në fushë ndaj Spanjës me flamurin e saj kombëtar si dhe do të këndojë himnin e saj zyrtar sipas protokollit të UFEA-s dhe FIFA-s.

Por si duket gjithçka është qetësuar pasi dy federatat kanë kontakt me njëra-tjetrën si dhe janë sqaruar me Federatën Spanjolle e cila ka kërkuar falje për incidentin e ndodhur ditën e djeshme. Ndeshja midis Spanjës dhe Kosovës do luhet më 31 mars në kuadër të raundit kualifikues për Kupën e Botës.

Njoftimi i FFK-së:

Gjatë ditës së sotme, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka pranuar një telefonatë nga Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF). Me këtë rast RFEF ka shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në mediat e atjeshme dhe ka konfirmuar se ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare.

Po ashtu, Federata e Futbollit e Spanjës ka shprehur mikpritjen e tyre për Kombëtaren e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja.

Në anën tjetër presidenti Ademi shprehu respektin dhe besimin e tij ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës dhe shprehu bindjen e tij se do të zhvillohen dy ndeshje shumë të mira si në Sevilla po ashtu edhe në Kosovë.

Presidenti Ademi përmes telefonit bisedoi edhe me zyrtarët e UEFA-s. Këta të fundit e kontaktuan atë për ta sqaruar situatën e krijuar së fundmi dhe ia konfirmuan se gjithçka është në rregull dhe se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është paraparë.

/Insajderi.com