Etiopia ka filluar fushatën e vaksinimit kundër Coronavirusit të ri (COVID-19) duke shpresuar të frenojë përhapjen e tij, transmeton Insajderi.
Vaksinat u administruan në disa qytete të mëdha, duke përfshirë kryeqytetin Addis Ababa, ku zyrtarë të lartë të qeverisë dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara (OKB) morën pjesë në një ceremoni në Spitalin e Përgjithshëm Eka, raporton Anadolu Agency (AA).
Mjekët, infermieret dhe stafi ndihmës në spital, që është një nga qendrat kryesore të trajtimit të koronavirusit në Etiopi, pranuan vaksinën AstraZeneca.
Javën e kaluar, Etiopia pranoi dërgesën e parë prej gjithsej 2,2 milionë dozave të vaksinës AstraZeneca në kuadër të iniciativës COVAX, një projekt i bashkë-udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që synon të sigurojë shpërndarje të drejtë të vaksinave në të gjithë botën.
Duke folur në ceremoni, ministri i Arsimit i Etiopisë, Getahun Mekuria, tha se Etiopia ka përjetuar një rritje alarmante të numrit të infeksioneve gjatë ditëve të fundit.
“Neglizhenca po i kushton kombit shtrenjtë”, paralajmëroi ai.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve me COVID-19 në Etiopi tani është mbi 172.500, duke përfshirë më shumë se 2.500 viktima dhe rreth 142.000 të shëruar.
Autoritetet kanë dhënë alarmin për zvogëlimin e kapacitetit të trajtimit në spitale, me më shumë se 600 njësi të kujdesit intensiv në të gjithë vendin që janë akoma të mbushura me pacientë me COVID-19.
Sipas autoriteteve, rasti i parë i koronavirusit në vend u zbulua saktësisht një vit më parë tek një arsimtar japonez i ardhur nga Burkina Faso. /Insajderi.com