Nëse Berat Gjimshiti është duke kaluar një formë fantastike në Seria A, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Marash Kumbullën. Që nga prekja e COVID-19 që e la jashtë fushës së blertë për disa ndeshje, mbrojtësi shqiptar duket se ka humbur shumë nga forma e tij, njofton Insajderi.
Që në ndeshjen e parë me Romën pas transferimit nga Hellas Verona tregoi një paraqitje mbresëlënëse me Juventusin, ndërsa do të arrinte të shënonte ndaj Young Boys dhe Milanit. Por qëndrimi në pankinë për një kohë të gjatë ka lënë dukshëm pasojat.
Në ndeshjen e sotme Roma po luan në transfertën ndaj Parmës, ekipi që ndodhet në vendin e parafundit të renditjes. Goli i parë i takimit ka ardhur që në minutën e nëntë, teksa Dennis Man ka lënë pas vetes Marash Kumbullën, me mbrojtësin shqiptar që ka gjithë përgjegjësinë e golit pasi nuk arriti ta mbyllte dot kundërshtarin në krahë. /Insajderi.com