Selektori suedez, Andersson vlerëson Kosovën

Selektori suedez, Andersson vlerëson Kosovën

Selektori suedez Janne Andersson ka folur për mediat në ditën kur bëri publike listën prej 26 lojtarësh për kualifikueset e botërorit ‘Qatar 2022’, teksa në këtë tur eliminator, Suedia është shortuar në grup me Kosovën, njofton Insajderi.

I pyetur nga mediat në lidhje me kundërshtarët e Suedisë në grupe siç janë Kosova dhe Gjeorgjia, Andersson ka vlerësuar të dyja përfaqësueset, por me theks të veçantë Kosovën.

“Edhe Kosova edhe Gjeorgjia kanë shumë lojtarë të mirë dhe të aftë teknikisht. Ne u takuam me Kosovën gjatë turneut të janarit në vitin 2019 dhe e dimë që është një ekip i aftë edhe nëse nuk ishte me ekipin më të mirë të mundshëm në atë kohë. Si zakonisht, duhet të jemi të kujdesshëm në përgatitjet tona dhe të bëjmë paraqitje të mira për të pasur një fillim që e duam në kualifikime”, tha Andersson.

Suedia së bashku me Spanjën shihen favorite të grupit, por duke mos harruar edhe Kosovën që shume herë ka ditur të befasojë për të mirë skeptikët e futbollit.

Më 25 mars Suedia pret Gjeorgjinë, ndërsa tre ditë më vonë, me 28 mars suedezët janë mysafirë të Kosovës në ‘Fadil Vokrri’. /Insajderi.com