Mbi 6 mijë punëtorë në grevë, mosrealizimi i premtimit të Qeverisë “paralizon” transportin e udhëtarëve në gjithë Kosovën

Mbi 6 mijë punëtorë në grevë, mosrealizimi i premtimit të Qeverisë “paralizon” transportin e udhëtarëve në gjithë Kosovën

Mbi gjashtë mijë punëtorë të Transportit Rrugor të Udhëtarëve kanë hyrë në grevë sot për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes midis Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.

Këta punëtorë nuk do t’i kthehen punës derisa Qeveria shprehet e gatshme për të filluar procesin e mbështetjes në bazë të kërkesave të kësaj shoqate drejtuar në Qeveri.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, i cili shton se ashtu siç ishte paralajmëruar, më datë 17 mars nga asnjë qytet i Kosovës nuk ka pasur asnjë nisje për Prishtinë.

“Është paralizuar komplet transporti i udhëtarëve në të gjithë Kosovën”, thotë ai.

“Kohëzgjatja e grevës varet prej Qeverisë se sa është e gatshme për të filluar procesin e mbështetjes apo subvencionimit në bazë të kërkesave tona që i kemi dërguar në Qeveri, atëherë ne e ndërprejmë grevën, pasi që edhe ne dëshirojmë që të vazhdojë procesi i punës meqë humbjet e transportit publik të udhëtarëve janë shumë të mëdha”.

“Janë mbi gjashtë mijë të punësuar në këtë sektor, janë dy mijë autobusë të cilët edhe praktikisht gjatë këtij viti për shkak të pandemisë nuk kanë funksionuar dhe shfrytëzimi i autobusëve ka ndodhur rreth 30 për qind, pra bëhet fjalë për mbijetesë”, është shprehur Kurtishaj.

Meqë ky sektor është njëri ndër të cilët ka shënuar humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të vendimeve të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, që nga muaji qershor i vitit të kaluar janë zhvilluar bisedime ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës për përfshirjen e këtij sektori në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Ndonëse pati premtime për mbështetje pasi të kalojë pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike në Kuvendin e Kosovës, u pa se nuk ka vullnet politik për realizimin e këtyre zotimeve.

“Dialogu publiko-privat ka zgjatur nga muaji qershor, ne e kemi pasë me 28 korrik 2020 një takim me kryeministrin dhe pas atij takimi, kryeministri ka lëshuar deklaratë që do ta mbështesë sektorin tonë, por pasi të kalojë pPako e Rimëkëmbjes në Kuvend. Me kalimin e kësaj pakoje është parë që sektori ynë nuk është i përfshirë. Ne kemi vazhduar me dialog, kemi zhvilluar takim me kryeministrin, me ministrin e Financave dhe atë të Infrastrukturës, ndërsa me datë 28 janar është nënshkruar marrëveshja, mes meje si kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrit të Infrastrukturës”, ka thënë Kurtishaj.

Më datë 11 mars Këshilli Drejtues i Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka marrë vendim për të filluar grevën për shkak të mospërmbushjes së premtimit të Qeverisë në detyrë dhe mosrealizimit të marrëveshjes për mbështetje të sektorit të transportit rrugor të udhëtarëve, marrëveshje e cila është nënshkruar më datë 28 janar.

Nga data 11 deri më datë 17 mars, Qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme për të analizuar këtë kërkesë dhe i është dhënë mundësia për ta futur këtë sektor në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, por deri më tani nuk është dhënë asnjë përgjigje konkrete.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar kësaj shoqate që t’i kthehen punës. Ai është shprehur i gatshëm që t’i takojë për të “gjetur një zgjidhje të favorshme për këta operatorë”.

“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Po ashtu, Zyra e Kryeministrit sqaron se, bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë së Kosovës.

“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (për shembull, pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50 për qind të qirasë, pagesa e 170 eurove). Pandemia COVID-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset”, përfundon njoftimi. /Insajderi.com