Kosova kundër Suedisë e Spanjës mund të jetë pa tri yjet që luajnë në Francë

Kosova kundër Suedisë e Spanjës mund të jetë pa tri yjet që luajnë në Francë

Tre lojtarët kryesorë të Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, Arbër Zeneli e Bersant Celina, mund të mos jenë të pranishëm në ndeshjet e marsit, ku fillimisht më 24 mars do të luajë miqësoren me Lituaninë, e më pas ndeshjen e parë kualifikuese në Prishtinë më 28 mars kundër Suedisë, kurse më 31 mars si mysafire e Spanjës, transmeton Insajderi.

Kjo për shkak se klubet e Ligue 1 dhe Ligue 2 të Francës nuk do të lirojnë lojtarët e huaj për të luajtur me përfaqësueset e tyre për ndeshjet që janë jashtë shteteve të Bashkimit Evropian për shkak të rregullave strikte të karantinës për COVID-19.

Rregulli do t’i prekë edhe këta lojtarë të përfaqësueses së Kosovës, pasi Berisha e Zeneli janë të Reimsi, ndërsa Celina është te Dijoni.

FIFA ka thënë muajin e kaluar se klubet nuk pritet të lirojnë lojtarët nëse ka “periudhë të detyrueshme të karantinës apo vetëizolimit së paku pesë ditë pas ardhjes” në një shtet ku klubi është i vendosur apo shteti është paraparë të luajë.

Klubet pritet të mos lirojnë lojtarët nëse ka kufizime të udhëtimeve mes dy shteteve apo nëse leje të veçanta nuk janë liruar nga lojtarët nga autoritetet lokale. /Insajderi.com