Peja ka shënuar fitore ndaj Bashkimit në udhëtim 65:79 (14:23, 15:21, 14:16, 22:19), në kuadër të javës së 25-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll, njofton Insajderi.
Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur 10 pikë epërsi në çerekun e parë, derisa 10 minutat e parë përfundojnë me shifrat 14:23. Pejanët nuk e ndalën ritmin as në periudhën e dytë, duke ngritur shifrat, ku epërsinë më të lartë e kishte 27:43, derisa pjesa e parë përfundon 29:44.
Peja vazhdoi me ritëm të njëjtë edhe në periodën e tretë, ku nuk e lëshoi epërsinë e krijuar, për më tepër e ngriti në 17 pikë, 43:60, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Epërsia e ‘verdhezinjve’ shkoi deri në 25 pikë, 46:71, derisa triumfuan në fund me meritë 65:79.
Basketbollisti më i dalluar në parket ishte Brandon Walters me 32 pikë e 24 kërcime, ku indeksin e ndeshjes e kishte 51.
Bashkimi ka 11 fitore dhe 14 humbje, kurse Peja 13 fitore dhe 12 humbje. /Insajderi.com