Kthimi i Vllaznisë ndaj Kastriotit vjen me plot kuptimin e fjalës. Jo vetëm tre pikët të marra që mungonin prej shumë ndeshjesh, por goli i ardhur në minutat e fundit si dikur kur shkodranët nuk ndaleshin përmbyllet më së miri me rimarrjen e kryesimit të Kategorisë Superiore, njofton Insajderi.
Përballja me krutanët nuk ishte aspak e lehtë teksa goli erdhi me kokë nga Hoxhaj pas krosimit të Krujës në minutën e 91-të. I gjithë stafi shkodran është futur në fushën e lojës duke u çliruar nga presioni i ardhur në gjithë këto javë.
Ndërkohë në rrugën e titullit është futur edhe Tirana që ka fituar në shifrat 1-2 ndaj Laçit. Dy talentet e akademisë Ismajlgeci dhe Celhaka i ka dhënë fitoren ‘bardhebluve’ që tanimë janë vetëm shtatë pikë larg kreut dhe mbeten ende në garë. Goli i Mazrekajt nga goditja e këndit do të jetë vetëm një statistikë për Laçin.
Kukësi ka humbur tërësisht busullën, ndërsa këtë herë ishte Ndreca që i mundi i vetëm me dopietën në rezultatin 2-1. Një fitore në minutat e fundit me shumë peshë ka marrë edhe Skënderbeu ndaj Apolonisë pas penalltisë të ekzekutuar saktë nga Meksi, duke ia dalë në shifrat 1-2. /Insajderi.com