Para sfidave kualifikuese për eliminatoret e Kupës së Botës ‘Qatar 2022’, tre prurje janë konfirmuar për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, njofton Insajderi.
Bëhet fjalë për tre lojtarë që aktivizohen në Ligue 1 franceze, dy në Reims dhe një tjetër në Dijon.
Arbër Zeneli, anësori i mrekullueshëm i Kosovës, që pas lëndimit nuk kishte të njëjtin produktivitet, pas lëndimit ka filluar të kthehet në formën optimale.
Mesfushori Valon Berisha, pas përvojës jo të mirë te italianët e Lazios, duket se te francezët e Reims ka rikthyer formën që kishte te austriakët e Salzburg.
I fundit që ka konfirmuar grumbullimin e tij me Kosovën, është ish-anëtari i Manchester City-t, Bersant Celina. Pas disa përvojave në futbollin anglez, anësori fantastik Celina, duket se te francezët e Dijon është në rrugën e duhur për të gjetur formën e lartë.
Kosova është grumbulluar në vend, teksa do të fillojë përgatitjet për sfidat kualifikuese, ku më 28 mars, në Prishtinë pret Suedinë, ndeshje që do të hapë kampanjën kualifikuese. /Insajderi.com