Stoltenberg: Rusia ka rritur sjelljet e saj agresive si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë

Stoltenberg: Rusia ka rritur sjelljet e saj agresive si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë

Ka përfunduar Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s i cili mblodhi së bashku në Bruksel për dy ditë ministrat e jashtëm të 30 vendeve anëtare të NATO-s, transmeton Insajderi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë për shtyp pas takimit njoftoi se në seancën e fundit diskutuan çështjen e Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëdhëniet me Rusinë janë të vështira tha Stoltenberg, i cili vlerësoi se “Pavarësisht iniciativave për të formuar kontakt dhe presionit që vazhdon prej vitesh për një dialog të kuptimtë, Rusia ka rritur sjelljet e saj agresive si nga brenda, ashtu edhe jashtë”.

Pasi deklaroi që opozita politike në Rusi është ende duke u shtypur, Stoltenberg përsëriti thirrjen për lirimin e opozitarit rus Alexei Navalny dhe protestuesve të tjerë paqësor që janë të arrestuar.

Sekretari Stoltenberg gjithashtu tha se në të njëjtën kohë Rusia ka vazhduar të shtojë edhe grumbullimin ushtarak.

“Përgjigja e NATO-s është e fortë dhe e qëndrueshme”, shtoi Stoltenberg.

Duke vënë në dukje se në qëndrimin e dyanshëm ndaj Rusisë, parandalimi dhe mbrojtja zhvillohen bashkë me dialogun, Stoltenberg theksoi që të gjithë aleatët ranë dakord të rishikojnë dhe përshtatin aftësitë e tyre parandaluese dhe mbrojtëse. /Insajderi.com