Përjashtimi i Muriç nga përfaqësuesja e Kosovës bëri mjaft bujë ditën e djeshme në të gjitha mediat. Portieri u përfol se ishte konfrontuar fizikisht me bashkëlojtarin e tij Zhegrova, por ky thashethem u përgënjeshtrua nga sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, si dhe nga vetë Zhegrova, i cili sulmoi gazetën Indeksionline për shpifje, njofton Insajderi.
Edhe vetë trajneri i Kosovës ka mohuar një përleshje mes Aro Muriç dhe Edon Zhegrovës në prononcimin për mediat. Sipas tij ashtu si dhe në kombëtare të mëdha si Anglia edhe në Kosovë lojtarët përjashtohen për mosrespektim të rregullave.
“Informacioni për përleshjen mes Zhegrovës dhe Aros, është lajm i rremë. Sa i përket pjesës tjetër, kemi marr vendimin që kemi marrë, e kemi publikuar dhe për mua përfundon gjithçka aty. Jam i koncentruar në ndeshjet që kemi. Nuk dua të jap detaje, s’mund të jap më shumë informacione. Ka qenë për arsye disiplinore”, tha fillimisht Challandes.
“Nëse jap informacione edhe më shumë për këtë situatë, është mungesë respekti edhe për lojtarin. Mund të bëjë një krahasim të disa rasteve te Anglia siç ka pasur probleme me Sterling, Foden e të tjerë, dhe merren vendime siç kemi marrë”, u shpreh Challandes. /Insajderi.com