Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar Përfaqësuesen e Kosovës gjatë së premtes së 26 marsit, transmeton Insajderi.
Kjo vizitë u bë e ditur nga Federata e Futbollit të Kosohës, ku në faqen zyrtare të saj ka publikuar edhe disa fotografi të takimit, ku shihet Kurti me fanellën e tij personale të Përfaqësueses.
Krahas bashkëbisedimit që ka pasur me futbollistët e Kosovës, Kurti ka zhvilluar edhe takim me kreun e FFK-së, Agim Ademin ku ishte i pranishëm edhe përzgjedhësi Bernard Challandes.
Në këtë vizitë, Kurti përgëzoi futbollistët për paraqitjet e tyre si dhe iu uroj suksese në ciklin për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, që do të fillojë nga e diela e 28 marsit, që do të jetë nikoqire e Suedisë.
“Kurti theksoi se futbolli në Kosovë gjithmonë ka qenë sport i dashur, derisa tani sukseset e djemve dardanë po e bëjnë krenar të gjithë popullin. Ai u shpreh i lumtur që në kampin e Dardanëve ekziston një atmosferë shumë e mirë dhe harmoni ndërmjet lojtarëve, pasi kjo është garancë për suksese të reja. Në anën tjetër, presidenti Agim Ademi duke e uruar kryeministrin Kurti për detyrën e marrë, e falënderoi atë për vizitën dhe mbështetjen ndaj ekipit Kombëtar dhe i dhuroi një fanellë të ekipit kombëtar. Ndërkaq, në emër të futbollistëve kryeministrin Kurti e përshëndeti kapiteni Samir Ujkani, i cili falënderoi institucionet dhe tërë popullin për përkrahjen e madhe që i japin ekipit kombëtar, duke u zotuar se do të japin edhe më tutje maksimumin në fanellën e shenjtë dardane”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /Insajderi.com