Southgate: Do të jetë e vështirë për ta thyer Shqipërinë

Southgate: Do të jetë e vështirë për ta thyer Shqipërinë

Trajneri i Anglisë, Southgate, ka folur në konferencën për shtyp përpara udhëtimit për në Shqipëri. “Tre luanët” do të përballen kundër Kombëtares Shqiptare në 18:00 gjatë ditës së nesërme, në ndeshjen që pritet me padurim për tifozët shqiptarë. Tekniku i Anglisë është shprehur se kjo përballje do të jetë e vështirë duke parë stilin italian të lojës në mbrojtje. Ndërkohë kur flitet për problemet me fushën te “Air Albania”, Southgate nuk ka asnjë ankesë, njofton Insajderi.

“Do të jetë ndeshje e vështirë për mënyrën sesi do të luhet kundër Shqipërisë. Do të luajmë kundër një trajneri italian dhe ju e dini sesi luajnë trajnerët italianë me mbrojtjen. Skema e tyre është me 3-5-2. Kanë një organizim dhe mbrojtje të mirë, luajnë mirë me topin, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar si gjithmonë”, tha anglezi fillimisht.

“Stadiumi (Air Albania) është shumë i mirë, ka pasur disa probleme me fushën, por si ndodhi me Wembley-n kur u hap. Kanë punuar për ta rregulluar problemin dhe do të jetë gati. Do të jetë e vështirë për ta thyer Shqipërinë. Të rreshtuar në mbrojtje, por kanë elemente të mirë në fushë dhe sulm të rrezikshëm. Për këtë arsye duhet të bëjmë presion të vazhdueshëm dhe mentaliteti ynë mbetet i njëjtë”, ka thënë Southgate. /Insajderi.com