Së paku 50 persona kanë humbur jetën brenda një dite në protestat e Mianmarit

Së paku 50 persona kanë humbur jetën brenda një dite në protestat e Mianmarit

Në Mianmar ka ndodhur goditja më e dhunshme kundër protestuesve pro-demokracisë sot kur regjimi ushtarak në pushtet tregoi forcën e tij në Përvjetorin e Forcave të Armatosura, duke vrarë të paktën 50 njerëz, transmeton Insajderi.

Junta, në një mesazh televiziv të premten në mbrëmje, paralajmëroi protestuesit për rrezikun e goditjes në kokë dhe shpinë nëse vazhdojnë demonstratat kundër grusht shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit, megjithatë, kundërshtuan kërcënimin e juntës dhe dolën në rrugë në qytete anembanë vendit, duke u përballur me shtypjen e dhunshme nga forcat e sigurisë.

Myanmar Now, media kryesore e lajmeve në vend, njoftoi se janë verifikuar vdekjet e 50 civilëve në 23 qytete në tetë nga 15 rajone që nga mesdita e ditës së sotme.

Të paktën tetë persona janë qëlluar për vdekje në lagjen Yangon Dala natën e së premtes vonë ndërsa forcat e sigurisë ndërhynë me dhunë në turmat që kërkonin nga policia të lirojë dy gra të cilat u arrestuan për pjesëmarrje në protesta kundër grushtit të shtetit, sipas dëshmitarëve dhe raporteve të mediave lokale.​​​​​​​

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato. /Insajderi.com