Pas dy vazhdimeve Rahoveci fiton ndaj Bashkimit

Pas dy vazhdimeve Rahoveci fiton ndaj Bashkimit

Rahoveci pas dy vazhdimeve ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me shifrat 102:94 (16:19, 15:21, 26:17, 23:23, 8:8, 14:6), në kuadër të javës së 26-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll, njofton Insajderi.

Çereku i parë ishte i baraspeshuar, me të dy skuadrat që nuk arrinin të shkëputeshin në rezultat, kurse 10 minutat e parë përfundojnë me shifrat 16:19. Por, në periodën e dytë mysafirët ishin më të mirë, duke pasur epërsi konstante, derisa pjesën e parë arritën ta përfundojnë në të mirë të tyre 31:40.

Pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë më mirë e nisën vendasit, që arritën të barazojnë shifrat në 42:42, e më pas zhvillohet lojë e barabartë, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 57:57.

Lojë tërësisht e barabartë u zhvillua në 10 minutat e fundit, me shumë rikthime, por pa fitues dhe ndeshja shkon në vazhdime, 80:80. Por, as pas pesë minutave shtesë nuk kishte fitues, me të dy skuadrat që shënuan nga tetë pikë. Megjithatë, në vazhdimin e dytë, ‘Vreshtarët’ nuk lëshuan pe, ku Darell Davis udhëhoqi sërish vendasit, që triumfuan në fund 102:94.

Te Rahoveci u dalluan Ed Daniel me 23 pikë e 10 kërcime, Altin Morina me 14 pikë, 11 kërcime e nëntë asistime dhe Darell Davis me 33 pikë, ndërsa te Bashkimi u dalluan Obinna Oleka me 25 pikë e 19 kërcime, Julian Hamati me 10 pikë e 15 kërcime dhe Milos Latkoviq me 22 pikë, shtatë kërcime e tetë asistime.

Rahoveci ka 17 fitore dhe nëntë humbje, ndërsa Bashkimi 11 fitore dhe 15 humbje. /Insajderi.com