Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë

Bizneset kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë

Bizneset në Kosovë kanë paralajmëruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sjellë shtrenjtim të çmimeve, duke kërkuar rishqyrtim të bazës ligjore, njofton Insajderi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, të martën gjatë një takimi me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve, është shprehur se në rast se ndodh ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të dëmtojë bizneset dhe prodhuesit vendës.

Rukiqi ka thënë se kanë kërkuar nga deputetët që t’i rekomandojnë ZRrE- së që kalimin në tregun e rregulluar të energjisë të shtyhet për një vit.

“Ky takim vjen si rezultat i një diskutimi 3 vjeçar prej kur ne diskutojmë për një sfidë që po u paraqitet bizneseve në raport me kalimin nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike në atë të derregulluar. Kosova ka miratuar një pako ligjore që i ka hapë rrugë liberalizimit të tregut të energjisë e cila është proklamuar si arritje e Kosovës në procese të ndryshme në tregun rajonal të energjisë. Barrën për implementimin e një pjese të kësaj pako e ka pasur rregullatori i energjisë dhe e ka akoma”, ka thënë ai.

“Në vitin e parë ne jemi njoftuar nga grupi i parë i kompanive nga 10 sosh që nëse implementohej kjo rregullore që ata të kalojnë në treg të rregulluar ky ndryshim i dërgonte në falimentim ata. Atëherë me përkrahjen e parlamentit Bordi i Rregullatorit ka marr vendim që të shtyhet për një vit implementimi i kësaj dispozite. Pas një viti kemi njoftuar bizneset për një letër të Sekretariatit të Vjenës që ka shtyrë edhe një vit këtë rregullore. Kurse edhe sot jemi në një situatë të njëjtë. Numri i kompanive që këtë vit kanë obligim të dalin në tregun e derregulluar është shumë i madh. Rritja e mundshme si pasojë e ofertave që kanë marr kompanitë nga furnizues të ndryshëm që të ketë 30 ose 40 për qind rritje të kostos nënkupton rritje çmimit për produkte që nënkupton rritje të kostos së jetës së qytetarëve”, ka shtuar Rukiqi./Insajderi.com