AstraZeneca ka marrë vendim për t’ia ndërruar emrin vaksinës së saj anti-COVID, njofton Insajderi.
Emri i ri i AstraZenecas është Vaxzevria.
Nga kompania farmaceutike është thënë se ndryshimi i emrit nuk ka të bëjë edhe me ndryshimin në përmbajtje të vaksinës. Derisa thuhet se mjekët duhet të informohen për riemërtimin.
Nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) është thënë se në informatat në lidhje me vaksinën, do të përfshihen edhe reaksionet e rënda alergjike që mund të shkaktojë vaksina si efekt anësor e po ashtu edhe rastet e rralla të mpiksjes së gjakut.
“Reagime të rënda alergjike do të përfshihen në informacionin për produktin, si pjesë e efekteve të njohura anësore. Një paralajmërim për ngjarje të rralla të mpiksjes së gjakut janë përfshirë në produkt, ndërsa hetim i mëtutjeshëm për lidhjen mes kësaj ngjarje dhe vaksinës po vazhdon. Personat e vaksinuar duhet të kërkojnë menjëherë kujdes mjekësor nëse simptomat e mpiksjes së gjakut apo gjakderdhjes paraqiten. Përfitimet e Vaxzevrias në parandalimin e COVID-19 vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet dhe nuk ka ndryshime në rekomandimin në lidhje me përdorimin e kësaj vaksine”, thuhet në njoftimin e EMA-s. /Insajderi.com