Reja para sfidës kundër San Marinos: Kundërshtari ka skuadër të organizuar, duhet të jemi të kujdesshëm

Reja para sfidës kundër San Marinos: Kundërshtari ka skuadër të organizuar, duhet të jemi të kujdesshëm

Shqipëria luan ditën e nesërme, ndeshjen e tretë eliminatore për Botërorin “Qatar 2022”, teksa do të përballet si mysafir me San Marinon, duke filluar nga ora 20:45, njofton Insajderi.

Në prag të kësaj ndeshje, në konferencë për shtyp ka dalë trajneri italian Reja, i cili u shpreh se nuk duhet të nënvlerësohet kundërshtari, duke thënë më tej, se do të luajnë lojtarët më në formë.

Gjithashtu trajneri foli edhe për Florian Kamberin, duke thënë se në analizat e ekografisë nuk ka dalë keq, por sulmuesi ka thënë se ndjen dhimbje. Gjithashtu ai konfirmoi se në portë do të luajë Strakosha, ndërsa për modulin u shpreh se vendoset në bazë të lojtarëve.

Fillimisht selektori i Kombëtares ‘kuqezi’ foli për kundërshtarin, duke thënë: “San Marino është një skuadër e organizuar, nuk i nënvlerësojmë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Unë mendoj se kemi shumë zgjidhje dhe mund t’iu them se në fushë do të futen lojtarët që janë më në formë. Modulin do e vendosim duke u bazuar te lojtarët”.

Më tej, tekniku italian foli edhe për organikën e lojtarëve që zotëron për këtë sfidë. “Të gjithë i kanë mundësitë për të luajtur, por mund të them se nuk kemi pasur mundësinë ditën e djeshme t’i shikoj lojtarët në stërvitje. Sot kam stërvitjen e plotë. Kam 23 lojtarë, në të cilët mund të mbështetem. Do flas edhe me doktorin për të parë gjendjen e lojtarëve. Nuk do bëj eksperimente”. /Insajderi.com