Ademi për të përditshmen katalanase: Si federatë ne nuk mund të përfshihemi në politikë

Ademi për të përditshmen katalanase: Si federatë ne nuk mund të përfshihemi në politikë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një intervistë së fundmi për të përditshmen sportive katalanase, “Lesportiu”, në prag të ndeshjes Spanjë-Kosovë, njofton Insajderi.

Ndër të tjera kreu i FFK-së, është pyetur edhe për çështje gjeo-politike, teksa iberikët nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Fillimisht Ademi foli për kundërshtarin, duke thënë: “Është sfidë për t’ia dëshmuar vetes se mund të garojmë kundër pjesës tjetër të planetit dhe se futbolli ynë mund të përparojë tani me një ekip të ri. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si institucion, por edhe për të gjithë njerëzit tanë”.

Më tutje, presidenti i FFK-së u pyet për mos-njohjen e Kosovës nga Spanja. “Si një federatë futbolli ne nuk mund të përfshihemi në politikë, ne e kemi njohjen e FIFA-s dhe UEFA-s dhe thjesht duam të mendojmë për të luajtur futboll. Ne nuk presim ndonjë problem përtej kësaj, ekziston një protokoll i qartë i ndeshjeve ndërkombëtare. E vërteta është se ne nuk i kushtojmë shumë vëmendje asaj që është përtej futbollit”.

Në fund, Agim Ademi foli edhe për talentet që ka Kosova si dhe synimet. “Ne kemi një strategji shumë të rëndësishme në lidhje me zhvillimin e futbollistëve, kemi punuar me shkolla dhe klube futbolli për një kohë të gjatë dhe përpiqemi të trajnojmë futbollistë dhe kjo në një të ardhme të afërt mund të ketë ndikim, jo vetëm në ekipin tonë kombëtar, por gjithashtu edhe në ligat më të mëdha, të tilla si La Liga. Duhet theksuar se në ekip kemi lojtarë që janë rritur jashtë vendit, por edhe të tjerë si Milot Rashica (Werder Bremen) dhe Vedat Muriqi (Lazio), të cilët kanë lindur dhe zhvilluar në Kosovë dhe mund të jenë frymëzim për të rinjtë tanë, të cilët mund ta shohin se ky rrugëtim është i arritshëm”. /Insajderi.com