Derbin e xhiros së 17-të në Ligën e Parë të meshkujve e ka fituar RC Cola Drita ndaj Istogut me rezultat 87:85, në një ndeshje dramatike, njofton Insajderi.
Istogasit ishin në epërsi 70:80, tre minuta nga fundi, por në minutat e fundit të përballjes, gjilanasit hyn në një seri të suksesshme dhe vendimtare, duke barazuar shifrat dhe duke kaluar në epërsi, duke arritur në fund fitore me rezultat 87:85 dhe duke bërë një hap të madh drejt ngjitjes në elitën e basketbollit të Kosovës.
Xzavier Barmore me 35 pikë e gjashtë kërcime, Qëndrim Demi me 23 pikë dhe Arian Memeti me 15 pikë e 12 kërcime ishin më të dalluarit te Drita, kurse te Istogu u dalluan Diamant Shabani me 21 pikë e 12 kërcime dhe Mirlind Zekaj me 20 pikë e 11 kërcime.
Gjilanasit janë në vendin e parë me 16 fitore dhe një humbje, kurse istogasit kanë 14 fitore dhe tri humbje. /Insajderi.com