Të hënën është mbyllur java e 27-të në Superligën e Kosovës në futboll me sfidën e zhvilluar në “Stadiumin e Qytetit” në Gjilan, ku nikoqirët gjilanas kanë shkatërruar me rezultat të thellë 5-1 ekipin vizitor nga Peja, Besën, njofton Insajderi.
Ndeshja ishte e dominuar totalisht nga çunat e Ismet Munishit, ku epërsinë e parë e arritën në minutën e 25-të me Arbër Çyrbjen. Miqtë nga Peja barazuan rezultatin me Tahirin, i cili realizoi nga 11-metërshi. Mirëpo, gjilanasit ishin të vendosur që fraksionin e parë të ndeshjes ta mbyllnin me epërsi, që kjo gjë të arrihej, u përkujdes Useini i cili shënoi pesë minuta para se skuadrat t’i drejtohen dhomave të zhveshjes.
Në pjesën e dytë, Gjilani arriti të shënonte edhe tre herë të tjera deri në mbylljen e takimit. Së pari realizoi Progni (60’), pastaj Hila shënoi katër minuta më vonë për rezultatin 4-1, teksa golin e fundit në takim e shënoi Razak në të 67-tën minutë.
Me këto tre pikë, ekipi i Munishit përforcon vendin e katërt në tabelë, ku momentalisht ka grumbulluar 40 pikë, ndërsa Besa e Pejës ndodhet në vendin e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë, me një këmbë në Ligën e Parë. /Insajderi.com