Ushtria e Malit ka njoftuar se ka vrarë të paktën gjashtë terroristë gjatë një ofensive në pjesën qendrore të vendit, transmeton Insajderi.
Sipas njoftimit nga ushtria e vendit, incidenti ndodhi dje kur një njësi e forcave të armatosura ishte e angazhuar në një ofensivë në sektorin Mafuna, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithashtu tre ushtarë të Malit u plagosën, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike.
Muajve të fundit sulmet terroriste janë rritur në pjesën qendrore të Malit.
Të premten e kaluar, katër paqeruajtës të OKB-së dhe tre ushtarë të Malit u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në dy sulme terroriste në rajonet Mopti dhe Kidal të Malit.
Pavarësisht nga prania e forcave paqeruajtëse franceze dhe të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Mali, grupet e armatosura ende janë shumë aktive në vendin e Afrikës Perëndimore.
Që nga viti 2012, militantët kanë kryer sulme të dhunshme në pjesën veriore dhe qendrore të Malit, duke vrarë mijëra ushtarë dhe civilë.
Në vitin 2015 u nënshkrua një marrëveshje paqësore midis qeverisë dhe disa grupeve kryengritëse.
Mosmarrëveshjet politike dhe të komunitetit vazhdojnë të ushqejnë tensionet në veri të Malit, duke minuar kështu zbatimin e marrëveshjes së paqes. /Insajderi.com